Disa nga 111 Arsyet
(Nga “111 arsye për ta dashur Shqipërinë” përkthyer në shqip nga Instituti Goethe nga Blerta Lazebeu)
Sonte do të njiheni me disa fragmente të shkëputura nga një libër i shkruar i gjithi në Shqipëri. E pra, jo mbi ndonjë tryezë pune diku në Gjermani, as përshfaqur nga diku strukur në kujtimet e mia, por pikërisht këtu.
Këtu, ku janë zhvilluar ngjarjet. Ndodhitë janë vjelur të freskëta nga fshati, ashtu si mushmollët në pranverë, rrushi në verë dhe shegët në pragvjeshtë. Ky libër, kësisoj, nuk radhit thjesht 111 arsye, por edhe ndodhira të verës që shkoi, të cilën unë e kalova kryesisht në bregun e Lukovës.
Me siguri ju do të pyesni, pse pikërisht 111 arsye?
Për hir të së vërtetës edhe unë ia bëj këtë pyetje vetes; mund të ishin më tepër, mund të ishin edhe më pak, mbase qoftë edhe një arsye e vetme do të kish mjaftuar.
Më kujtohet se si njëherë, isha ulur në kafenenë e Arvit dhe kisha futur në prizë kompjuterin tim të vjetër, të cilit i është konsumuar bateria. Kishte mjaft kohë që po shkruaja për njërën ndër arsyet, kur befas ikën dritat. Fillova të shfryj me të madhe, sepse teksti u zhduk. Arvi erdhi të shihte ç’ngjau dhe më pas m’u drejtua:
– E sheh, ja tek e ke një arsye për të mos e dashur Shqipërinë!
Arsyeja 4
Sepse Shqipëria, thjesht, është diçka që të ndodh
Kam krijuar përshtypjen, se në momentin që dikush vendos të vijë në Shqipëri, ky udhëtim i organizohet, i stiset dhe lehtësohet vetiu. Në skenë del rastësia, teksa plani për të udhëtuar në këtë vend të lënë disi mënjanë, deri diku me nam jo dhe aq të mirë, dikur të izoluar dhe harruar, duket sikur mbështetet nga një forcë e epërme. Qysh në momentin që vëmendja të kthehet për tek Shqipëria, ty të duket sikur futesh në një fushë morfogjenetike, e cila krijon rastësira të posaçme dhe i kontrollon rrethanat në mënyrë të tillë, që ato të ndërthuren me njëra-tjetrën si në një fjalëkryq e të lindin linja të çuditshme ndodhirash që mbivendosen mbi njëra-tjetrën porsi një roman. Për fat të mirë, në Shqipëri nuk të del koha ta vësh re këtë; vetëm kur kthen kokën pas, arrin të kuptosh se Shqipëria thjesht të ka ndodhur, është ajo që ka ardhur tek ti. Me siguri, jeni duke menduar: “… Po ky, çfarë po na përrallis tani?“
Meqenëse mund të mos më besoni, le të dëgjojmë historinë e Emilijas! Ajo është palë asnjanëse dhe unë thjesht po përcjell ato çka më tregoi, pasi u takuam në plazhin e Lumrës.
Emilija studion në Vilnius të Lituanisë dhe stinën e verës e kalon duke shëtitur nëpër botë. Një ditë, diku nga fundi i qershorit, me çantën e vjetër mbi shpinë, çadrën dhe dyshekun me vete, Emilija po priste të gjente një makinë të rastit në një stacion karburanti në të dalë të Vilniusit, e gatitur për etapën e parë. Mendonte se etapa e parë duhej të ishte fare e thjeshtë, sepse një ndër dy makina rrugëtonin drejt Polonisë. Ja që kësaj here nuk ndodhi ashtu. Asnjë makinë nuk po ndalonte dhe ajo filloi t’i humbte disi shpresat, kur një shofer kamioni ndaloi dhe u tregua i gatshëm ta merrte. Ai e pyeti, se ku donte të shkonte.
-Në Shqipëri – u përgjigj Emilija.
Shoferi ktheu kokën dhe e pa habitshëm. Në çast pushoi së foluri dhe nisi të rrëmonte në një çantë sporti me njërën dorë, teksa tjetrën e kishte mbi timon. Ai po ngërdheshej disi çuditshëm dhe Emilija u frikësua pak, por më në fund, dora e tij gjeti dhe i tregoi atë që po kërkonte, pasaportën shqiptare me shqiponjën dykrerëshe. Katër ditë më vonë dhe 3,500 kilometra më tej, Emilija zbriti nga kamioni dhe mbërriti në Berat.
Arsyeja 5
Sepse shqiptarët ju ftojnë për kafe, raki ose për vizitë në familjet e tyre
Shiu po binte litar. Ngjante sikur po e hidhnin me gjyma nga qielli. Nuk dukeshin gjasat që të ndalonte ndonjë makinë për në Korçë, kështu që Emilija mori autobusin.
Në autobus mbizotëronte një atmosferë shumë e çuditshme. Mbi udhëtarët kishte pllakosur një heshtje e pazakontë dhe ata dukeshin si të strukur, teksa shiu përplasej në dritare, duke mos lejuar që të shihej asgjë përtej xhamave. Ndërkaq, Emilija vërejti se si një grua kishte disa minuta që po e ndiqte me sy. Më saktë, ajo kishte kthyer kokën dhe ia kish ngulur sytë. Rëndom janë burrat ata që t’i ngulin sytë, por edhe një grua? U mat t’i fliste, kur gruaja iu ul pranë dhe nisi e para bisedën:
– Nga Lituania!
Grimasa e një farë zhgënjimi të shfaqur padashje mbi fytyrën e gruas, nuk i shpëtoi Emilijas. Hollë–hollë, me sytë e saj blu të thellë dhe flokët bjondë të errët, ajo mund të merrej lehtë për gjermane, le të themi për klishenë e një gjermaneje tipike. Më pas, doli që gruaja kishte filluar të mësonte gjermanisht dhe kish menduar se mund të bisdeonte disi në atë gjuhë.
– Për ku je nisur?
– Për në Korçë.
Emilija nuk njihte asnjë njeri atje dhe as nuk e dinte se ku do të shkonte.
– Atëherë, eja te ne! – i tha gruaja.
Kështu, Emilija kaloi një javë të tërë në Korçë, tek ata njerëz, që më pas do t’i quante “familja e saj shqiptare”. Ajo flinte në njërin nga tre divanët në dhomën e ndenjjes, pasi vetëm prindërit kishin dhomë gjumi më vete. Emilijas i mësuan fjalët më të rëndësishme në shqip, i dhanë një kartë telefoni shqiptare, si dhe kontakte të ndryshme. Ogur i mirë për vazhdimësinë e udhëtimit.
Shumica e udhëtarëve të huaj që kam takuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve, kanë pasur histori të ngjashme si kjo që sapo tregova. Edhe atyre, rastësitë u kanë shtruar rrugën drejt dhe përmes Shqipërisë. Ata gjithashtu kanë pasur fatin të vizitojnë një vend tejet miqësor, duke ditur fare pak për të para nisjes. Mirëpo, sapo mbërrinin në Shqipëri, ata kuptonin se të gjitha paragjykimet mbi këtë vend ishin të gabuara, madje krejt e kundërta është e vërtetë: Sa mahnitëse është natyra e kësaj toke dhe sa të hapur e të ngrohtë janë njerëzit e saj! Sa befasues, sa frymëzues, sa drithërues është ky vend! Me siguri, këta turistë, kur janë kthyer nëpër vendet e tyre, kanë treguar për zbulimin e Shqipërisë dhe për këtë ndjesi të pazakontë që mbizotëron këtu, një përzierje e veçantë mes së panjohurës, lirshmërisë dhe hazdisjes mesdhetare. Kështu, një ditë të bukur, era zuri të ndryshonte kah dhe Shqipëria nisi të vizitohet nga njerëz që kërkonin pikërisht këtë gjë. Shqipëria u bë një destinacion udhëtimi.
Arsyeja 9
Sepse shqiptarët janë një komb miqësor, i hapur dhe kureshtar
Ndryshe nga ç’u ka ndodhur e po u ndodh ende sot atyre vetë, shqiptarët vijojnë të presin krahëhapur çdo të huaj që vjen në Shqipëri. Thjesht, ngaqë është i huaj, andaj ka nevojë edhe për ndihmë. Kujtdo që kërkon ndihmë, i jepet dhe nëse kjo nuk është e mundur t’i shpjegohet me fjalë, kalohet në vepra: i huaji merret për krahu dhe shoqërohet deri në vendin ku do të shkojë. Për më tepër, ka ende kërshëri për personin që është përballë teje dhe bëhen gjithmonë pyetje se nga vjen dhe ku po shkon. Thënë kjo, një i huaj në Shqipëri ka gjithmonë nevojë për ndihmë; ai duhet të pyesë vazhdimisht, sepse shumë gjëra nuk janë të qarta vetiu dhe duhet që fillimisht të kuptohen, si për shembull, pikat dhe oraret e nisjes për transportin qytetas. Në Shqipëri, ndryshe nga destinacionet e tjera të pushimeve, komunikimi me vendasit lind krejt natyrshëm.
Arsyeja 10
Sepse Europa ndodhet përtej detit
Vendi më i bukur që shqiptarët kanë imagjinuar për dekada me radhë quhej thjesht “Jashtë“. Të gjithë donin të shkonin atje. Shumë syresh janë larguar vërtet. Të rinj të mirarsimuar dhe nga ata që nuk kanë pasur asgjë për të humbur.
Ndërkaq, është përhapur fjala se ky vendi “Jashtë“ përbëhet edhe vetë nga shtete të mëvetësishme, të cilat kanë apo krijojnë gjithashtu andrallat e tyre. Megjithatë, të rinjtë ende joshen për t’u larguar, sepse jashtë fitojnë shumëfishin e asaj që do të merrnin në vendin e tyre.
Si dëshmi e fuqisë së idesë europiane dhe suksesit të saj në dekadat e kaluara, është fakti që njerëzit në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit, më së shumti pajtohen se duan të shkojnë atje, në Europë! Përfytyrimi i Europës si një familje e madhe, si një njësi politike, një strehë sigurie, paqeje dhe e lirive vetjake, është më i fortë se çdo tregues që dëshmon se sa të ndarë mes tyre janë anëtarët e kësaj familjeje, sa egoiste mbeten qasjet e tyre dhe sa të orientuara drejt fitimit afatshkurtër zhvillohen interesat e tyre.
Zonja e vjetër Europë është idealizuar dhe me të lidhen shumë shpresa të rreme. Vështirë se dikujt i shkon në mendje, se në fakt Shqipëria është tashmë në Europë, qoftë edhe për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike: Jo, “Europa” ndodhet larg. “Europa” për shqiptarët është një proces, një afrim tejet i ngadaltë, një premtim dhe njëkohësisht një zhgënjim. “Europa” është perëndimi dhe pikërisht aty kërkojnë të shkojnë shqiptarët, atij duan t’i përkasin.
Parimisht, mendësia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Mbaj mend, që gjatë udhëtimit tim të parë në vitin 2006, shumë njerëz habiteshin që një i huaj i bënte pushimet në Shqipëri dhe jo në Itali apo Francë, fjala vjen. Asokohe, më duhej të dëgjoja shpesh pyetjen se çfarë, për “hir të Zotit“, po kërkoja në Shqipëri. – Këtu nuk ka asgjë. Sot, edhe për shkak të zhvillimit të turizmit, tek shqiptarët është ngulitur bindja se Shqipëria është vërtet një vend tërheqës dhe ia vlen të vizitohet.
Arsyeja 19
Sepse askush tjetër, veç shqiptarëve, nuk flet shqip
Shqiptarët ndajnë gjerësisht bindjen, se shqipja është një gjuhë shumë e ndërlikuar dhe e vështirë për t‘u mësuar. Askush nuk flet shqip. Në mënyrë të pashpjegueshme, vështirë se dikush merr mundimin të mësojë fjalët më të rëndësishme që duhen në jetën e përditshme, ndonëse kjo do të ishte shenjë respekti për vendin nëpër të cilin ti po shëtit. Të jem i qartë, unë nuk di shqip, thjesht flas gjysma-gjysma, xhongloj me pesëdhjetë deri në njëqind fjalë dhe ia dal thuajse pa asnjë rregull gramatikor. Fakti që funksionon nuk është domosdoshmërisht meritë e imja, por e vullnetit të mirë të bashkëbiseduesve të mi.
Gjatë qëndrimit tim të parë në Shqipëri, më shumë se dhjetë vite të shkuara, më janë dashur ditë të tëra që të mund të thoja qoftë dhe vetëm “faleminderit”; gjuha më dukej aq e huaj, aq e pangjashme me çdo gjuhë tjetër që dija, saqë fjalët më hynin nga një vesh dhe më dilnin nga tjetri.
Unë mendoj se nuk duhen më shumë se dhjetë fjalë për të lënë përshtypje të mirë e për të ecur përpara, shumë më përpara sesa ata idiotë që përplasin paratë diku në tavolinë dhe madje nuk dinë të thonë as “faleminderit”. Kjo vlen për të gjithë botën, jo vetëm për në Shqipëri, por veçanërisht këtu, ato pak fjalë kanë një efekt të madh.
Arsyeja 27
Sepse do të flisni gjuhën e futbollit
Ta zëmë se, si i huaj, ju nuk flisni asnjë fjalë shqip dhe kjo ka shumë gjasa të ndodhë. Le të hamendësojmë gjithashtu, që ju nuk flisni as italisht e as greqisht. Kështu, ju mungojnë gjuhët më të rëndësishme për qëndrimin tuaj në Shqipëri, së paku për të bashkëbiseduar me moshat më të rritura. Por, e dini çfarë? Kjo nuk do t’i shqetësojë aspak ata. Ju do të gjeni një zgjidhje tjetër, duke përdorur një gjuhë mbikombëtare, atë të futbollit! Në Shqipëri, rrallë ndodh që njerëzit t’u bëjnë bisht të huajve apo të sillen të ndrojtur për shkak të mungesës së gjuhës.
Edhe pa pasur një gjuhë të përbashkët me ta, shqiptarët do t’ju afrohen, do të bashkëbisedojnë me ju dhe do të gjejnë të përbashkëtat – qofshin ato edhe njohjet e zakonshme që lidhen me futbollin ndërkombëtar. Në Shqipëri, përgjithësisht, ndodh e kundërta e asaj që ndodh në Gjermani. Këtu nuk kërkohet për të gjetur dallimet apo ato gjëra që na ndajnë, por kryqëzimet, ngjashmëritë dhe lidhjet e përbashkëta. Andaj, përgatituni për një bisedë si vijon:
– Barcelona!
– …
– Real Madrid! Ronaldo!
– …
– Bayern Mun-chen!
– …
– Schwainstaiger! Muller!
– …
Në marrëdhëniet e përditshme me ata shqiptarë që flasin vetëm shqip, pavarësisht mimikës apo gjesteve, natyrisht ka keqkuptime të vazhdueshme, të cilat ndodhin kryesisht nga fakti që ne përpiqemi me çdo kusht të gjejmë një kuptim. Ajo që bëjmë ne, në fakt, është thjesht se informacionin e marrë e shndërrojmë në diçka deri diku të konceptueshme, por që shpesh korrespondon më shumë me atë që ne duam të mendojmë, sesa me atë që thuhet e duhet në të vërtetë. Një ditë, për shembull, një grua franceze po vraponte gjithë qejf në plazh, teksa bariu Tëme, po kalonte aty si çdo ditë tjetër me mushkën dhe gomarin e tij. Tëmja vjen rregullisht në plazh të korrë barin e harlisur për të ushqyer dhitë. Ne pamë ata të dy, teksa shkëmbenin një bisedë të shkurtër dhe teksa përkëdhelnin gomarin. Pak më vonë, francezja ishte e bindur se kishte njohur Z. “Shummir”, sepse kështu qenkësh prezantuar Tëmja, duke goditur lehtë gjoksin, pasi ajo i kishte thënë emrin e saj. Sigurisht, edhe emri i përveçëm i gomarit, ishte “Gomari”.
Arsyeja 32
Sepse bota mund të jetë e drejtë nëse ia ka qejfi dhe nëse të gjithë sillen ashtu siç duhet
Emilija fillimisht kishte menduar të bënte kampim në plazh, por më pas kuptoi që Deti Mesdhe, veçanërisht nën ndikimin e erërave, kishte batica që mund t‘i rrezikonin çadrën. Teksa filloi të errësohej, ajo mblodhi me nxitim plaçkat, eci disa qindra metra përgjatë shkëmbinjve dhe mbërriti në tavernë për të pirë një kafe të vonë. Do të gjendet një zgjidhje, mendoi ajo, duke qenë kësisoj në përputhje të plotë me mendësinë shqiptare.
Gjergji sapo e pa, iu drejtua dhe i tha:
– Sa e ngarkuar qenke!
– Po, ke të drejtë!
– Ku do shkosh me gjithë këto gjëra, tani, në këtë orë?
– Të them të drejtën, ende nuk e di as vetë.
– Paske çadër, apo jo? Mund ta vendosësh këtu, s’ka asnjë problem.
Gjergji dhe të gjithë punonjësit e kuptuan se si qëndronte puna. Kjo lituaneze që kish ardhur me makina rasti deri aty, po udhëtonte me një buxhet kaq të kufizuar, të cilin më mirë të mos e them, pasi nuk do ta besonit. Ajo kishte gjetur Lukovën, madje dhe plazhin, na kish gjetur edhe ne e tani ishte këtu. Kështu, mëngjeseve, kur porosiste kafe, Aldo, kamarieri, thjesht e shikonte dhe i thoshte:
– Këtu nuk ke për të paguar gjë.
Mbrëmjeve, Gjergji i vendoste përpara një pjatë supë me perime dhe një fetë bukë, edhe pse ajo nuk ia kishte kërkuar kurrë. Unë porosisja dy racione patate me salcë kosi dhe i ndaja me të. Verën po e po. E pra, kështu bëhen gjërat këtu. Bota mund të jetë shumë e drejtë.
Arsyeja 38
Sepse, “të pish” është shumë relative
Buzëmbrëmje. Sapo ka kaluar ora 19:00. Unë sapo kam ardhur nga fshati dhe po eci drejt plazhit. Gjergji duket i çlodhur, më mirë se ditët e fundit (zhytja në det bashkë me të gjitha aktivitetet e tjera, ndonjëherë e rëndojnë). Unë i përmend pijen. Gjergji më thotë:
– I not drink today. Only two beer, one raki./Nuk kam pirë sot. Vetëm dy birra dhe një teke raki.
Birra nuk cilësohet me patjetër si pije alkoolike në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk është fort e përshtatshme për të ngritur dolli. Birrat shqiptare, si “Elbar”, “Tirana” dhe “Korça” kanë të gjitha, pak më shumë se katër përqind alkool dhe sasi të ulët të erëzave bazë. Ato thjesht rrëkëllehen, kur temperaturat janë të ngrohta dhe ajri përmban 60 % lagështirë, kështu është kjo punë. Nga ky këndvështrim, llogaritja si më sipër e Gjergjit është plotësisht e saktë, pasi do të thotë se ai ka pirë dy birra për të shuar etjen, por kur bëhet fjalë për të pirë vërtet, ka konsumuar vetëm teken e detyrueshme të rakisë, përndryshe nuk ka pirë gjë. Pra, është fare e qartë: Gjergj nuk ka pirë sot.
Arsyeja 43
Sepse, marka “Deutschcolor” është po aq gjermane, sa edhe rakia e bërë vetë
Nuk mund të kalosh nëpër Shqipëri, pa vënë re markën “Deutschcolor”. Duket sikur kompania ka marrë me qira pothuajse të gjithë hapësirat e disponueshme për publicitet, për të reklamuar në të verdhë e të zezë cilësinë gjermane, e cila prodhohet në Durrës. Edhe adresa e tyre e Email-it mbaron me “.de”: info@deutschcolor.de! Ndërkaq, pas gjithë kësaj qëndron Delta Group me qendër në Tiranë.
Çdo gjë, që në njëfarë mënyre duket “perëndimore”, ka emër të mirë në Shqipëri. Nëse vjen nga Gjermania, akoma më mirë! Kushedi sa herë fqinjët në fshat më kanë treguar ndonjë pajisje kopshtarie të prodhuar në Kinë, duke qenë tejet të bindur se ishte mall gjerman dhe për këtë arsye, i një cilësie të lartë! Nuk është çudi që kompani të caktuara pretendojnë të jenë gjermane, ndaj u detyrova të bëj edhe pak punë edukuese:
– Gjergji! Deutschcolor nuk është markë gjermane.
Gjergji u çudit pak, kur e informova për këtë dhe zuri të më pyeste disa herë: “Vërtet nuk është markë gjermane?” Megjithatë, shumë shpejt e kuptoi dhe nisi të vepronte: sa herë shikonte ndonjë dyqan me logon “Deutschcolor”, gjatë psonisjes me makinë nëpër Sarandë, ndalonte dhe thërriste me derën hapur:
– DEUTSCHCOLOR NUK ËSHTË MARKË GJERMANE!
Arsyeja 51
Sepse askush nuk planifikon
Thuhet se shqiptarët nuk dinë të planifikojnë. Unë e kundërshtoj prerazi njëpohim të tillë, pasi është plotësisht i pavërtetë! Sigurisht që shqiptarët mund të planifikojnë. Ata thjesht nuk e bëjnë, sepse gjithsesi gjërat ndodhin ndryshe nga plani. Askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen, jo më ta drejtojë atë. Çfarë arrogance, të presësh që realiteti të shkojë sipas planit! Kjo nuk ndodh kurrë, asnjëherë! Realiteti është thadruar aq fort në Shqipëri, sa çdo plan do të ngatërrohej dëshpërimisht me të dhe do të kishte një fund të pashpresë, duke ngecur dhe duke u përpëlitur si miza në një rrjetë merimange.
Askush nuk pret që realiteti t’i bindet planit. Të gjithë mendojnë fillimisht se diçka do të dalë e ta prishë atë. Kjo është arsyeja, se përse nuk ka një plan të paravendosur, por vetëm një ide që duhet të mbetet e luhatshme, në mënyrë që kur të përballet me realitetin, të shndërrohet praktikisht në plan, duke upërshtatur.
Arsyeja 54
Sepse në Shqipëri nuk ka probleme, ka vetëm zgjidhje
Në Shqipëri nuk të mjafton koha të mërzitesh, aq më pak të kesh probleme. Edhe nëse ndodh të kesh ndonjë të tillë, nuk e pranon, pasi problemet janë vështirësi të së ardhmes, ngatërresa të pritshme. Përqendrimi vetëm në një çështje nuk u thotë gjë shqiptarëve. Sipas botëkuptimit gjerman, problemet dhe vështirësitë duhen zbërthyer mirë, madje duhet kërkuar për zgjidhje përpara se të lindë nevoja. Kurse këtu, më mirë t’i vish rrotull situatës, ta qerthullosh e t’i rikthehesh disa herë, sesa të futesh shumë thellë në të, apo për të përdorur një shprehje gjermane, ta “shterosh diskutimin”. Kësisoj tema do të mbyllej, por kjo nuk mund të ndodhë këtu!
Përse duhet të parashikohen apo të shpiken vështirësitë? Pse duhet të diskutohet diçka që ende nuk ekziston? Ajo që thjesht dhe vetëm ka gjasa të ndodhë? Me një fjalë, pse duhet t‘i hapësh vetes telashe? Jo, problemet përballen saktësisht atëherë kur shfaqen, kur qëndron drejtpërdrejt përballë tyre. Vetëm atëherë nuk e përqendron vëmendjen tek anatomia e problemit, por krejtësisht tek zgjidhja e tij.
Këtu nuk ndalesh aspak tek problemi. Nuk ka asnjë problem, ka vetëm zgjidhje. Ky fakt theksohet vazhdimisht, madje është deri diku simptomatik: thuhet “S’ka problem”, pikërisht kur situata bëhet problematike. Formulimi në shqip “Nuk ka problem”, në fakt do të thotë: “Po kërkojmë zgjidhje”.
Arsyeja 56
Sepse këtu vlen fjala e dhënë…
Në Europën Perëndimore nënshkruhen kontrata të detyrueshme e të zbatueshme.
Rreth dhjetë vjet më parë, në Tiranë, ne nuk kishim kontratë qiraje për apartamentin e marrë tek Rruga “Myslym Shyri“. Kjo është normale, pasi kontratat e qirave janë më shumë përjashtim dhe mund të përdoren nga kompanitë e mëdha, të cilat zakonisht nuk lëshojnë me qira, por shesin para se të fillojë ndërtimi. Kontratat ndërmjet personave privatë janë të pazakonta dhe tregues mosbesimi.
Disa shkojnë deri aty, sa të thonë se kontratat, letrat dhe marrëveshjet e shkruara vënë në rrezik shqiptarizmin e tyre: Si mundet që letra të zëvendësojë fjalën e dhënë? Ku shkon, nëse nuk mund t’i kesh më besën fjalës së dhënë dhe të duhet ta ngurtësosh atë në letër? Atëherë, i bie që i gjithë sistemi i besimit apo i mbështetjes tek njëri-tjetri është në rrezik. Këto janë rastet, kur fjala e shkruar bëhet pengesë për fjalën e shprehur.
Arsyeja 57
…ose, mbase fjala e dhënë edhe nuk vlen!
Thënë kjo, jo çdo fjalë dhe asesi çdo marrëveshje apo deklaratë zbatohet. Prandaj, mos u habitni nëse ju pyesin vazhdimisht për planet tuaja. Në fillim mbase acaroheni disi, pasi mund të keni njoftuar se çfarë plani keni për ditën tjetër, por kjo është praktikë e rëndomtë: Dita tjetër është ditë tjetër dhe sipas këndvështrimit shqiptar, duhet së paku të rishikohet ose të ridiskutohet se çfarë po ndodh. Nuk i dihet, mbase diçka ka ndryshuar ndërkohë. Për këtë arsye, askush nuk do t’jua përmendë bisedën e djeshme; jeni plotësisht të lirë. Ndërkohë, kam filluar ta vërej këtë sjellje edhe te vetja: Nuk nisem më nga mendimi se ajo që diskutohet në mbrëmje, do të zbatohet në mëngjes.
Tani pres për bisedën e radhës, për konfirmimin dhe më pas për ndonjë ndodhi rastësore që do ta çojë gjithçka në një drejtim tjetër, një Zot e di se ku. Njeriu mendon, Zoti drejton. Apo, siç më tha njëherë Gjergji:
Look it! What you say for the night is for the night. It is for the Raki, not for the tomorrow./ – Shiko, çfarë thuhet në mbrëmje, i mbetet mbrëmjes. I mbetet rakisë, jo të nesërmes.
Arsyeja 72
Sepse emrat e rrugëve nuk kanë asnjë vlerë
Edhe sot, emrat e rrugëve apo numrat e banesave nuk janë aq të rëndësishme, sa ndërtesat, institucionet apo monumentet e njohura në Shqipëri. Nëse jeni duke lëvizur në ndonjë fshat, pyesni për emrin e familjes, jo për rrugën! Kjo e fundit nuk përbën fare kuptim. Edhe në qytete si Saranda, banorët nuk i kanë përvetësuar asnjëherë emrat e pagëzimit të rrugëve të reja në kodër. “Rruga e pestë“, fjala vjen, është thjeshtë e pesta në radhë, nëse nisemi nga porti.
Edhe unë që kam jetuar për disa javë në Sarandë, nuk ia kam idenë se si është emri i saktë i tyre. Rrugët thjesht numërohen, gjë që shkakton rregullisht turbullim tek turistët. Kjo, pasi i dërgojnë, për shembull, në “Rrugën e Dytë”, por nëse nisen nga e para, ata e marrin për një rrugë më tutje dhe më pas kthehen mbrapsht.
Arsyeja 91
Sepse Thethi është zemra e egër e një toke të egër
Thethi duhet parë, për t‘u besuar. Enkas po shkruaj në kohën e tashme, sepse nuk ka vlerë ta kesh parë Thethin e të kesh bërë qindra fotografi. Realizmi dhe përllogaritjet e probabilitetit në mendjen tonë do t‘i shkatërronin kujtimet, do t’i linin të avullonin në diçka të zakonshme, të menaxhueshme – e ndërsa Thethi qëndron jashtë gjithë kësaj, ai është në themel të luginës së të pamundshmes. Peizazhi malor është aq i thiktë dhe aq i lartë, sa të ngjan se je në një luginë të mbyllur, në fund të botës së banuar, brenda një përjashtimi të madh.
Lugina e Shalës është zemra e egër e një vendi të egër, siç e përshkruan Edith Durham, e cila ka udhëtuar gjerësisht në rajon në fillim të shekullit të kaluar dhe që në vitin 1909 publikoi një vepër themelore, të quajtur “Shqipëria e epërme”. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, ndonëse familjet në luginë investojnë shumë për të ndërtuar dhe zgjeruar shtëpitë e tyre, në mënyrë që të kenë mjaftueshëm dhoma për turistët, si dhe së fundmi të ofrojnë gjëra të tilla luksi si ngrohja, uji i ngrohtë apo dhomat dyshe.
“Përse mendohen këto male të lartë? Këto enigma me kurriz që zgjaten jug-veri?“
Këtë pyetje ngriti njëherë shkrimtari Ismail Kadare. Unë ndërkaq, mora lirinë të pyesja njëherë ish-fermerin, Kol Gjon Gjoni, djemtë e të cilit punojnë të gjithë në fushën e turizmit, ndërsa shtëpia e tyre është bujtina e parë në luginë: “Çfarë duan të na thonë këto male, Kolë?”
Kola më tha:
– Asgjë. Malet nuk flasin.
Nga ana tjetër, ata që flasin janë të huajt, zërat e të cilëve tanimë dëgjohen jo vetëm në luginë, por edhe në rrugën e mushkës së Thethit. Interesi për këtë zonë është rritur dukshëm vitet e fundit, kjo edhe për shkak të krijimit të një shtegu ndërkufitar për ecje të gjatë, të quajtur “Majat e Ballkanit”, zemra e të cilit është një shtegkalim prej 17 kilometrash midis Thethit dhe Valbonës. Për këtë e kemi fajin ne, gjermanët. GTZ-ja gjermane (pjesë e Ministrisë së Jashtme, e cila tani operon si GIZ, Shoqëria për Bashkëpunim Ndërkombëtar) në vitin 2005 pati idenë që Thethin ta zhvillonin për turizëm. Natyrisht, në mënyrë të kujdesshme dhe më vonë kur kjo fjalë hyri në modë, edhe në mënyrë ekologjke.
Arsyeja 103
Sepse nuk keni lindur në Shqipëri
Origjinaliteti i Shqipërisë mund të shijohet mjaft mirë, nëse nuk je pjesë e tij. Nëse nuk prekesh vetë nga sistemi, nga natyrshmëritë, nga pritshmëritë dhe detyrimet që lidhen me to, por merresh thjesht me dukshmërinë e tyre, atëherë është e lehtë. Atëherë, edhe Shqipëria mund të romantizohet lehtësisht. Por, realiteti i jetës që shkon doradorazi me ato pamje që ne i perceptojmë si romantike, është shumë ndryshe. Ai është i vështirë, deri diku i pamëshirshëm, herë plot forcë dhe thjeshtësi origjinale, herë i paprekur, shpesh i ndërlikuar dhe rraskapitës.
Shoqëria e sotme shqiptare përbëhet, si të thuash, nga katër pjesë: Njëra pjesë janë ata që kanë mbetur pas, pra fshatarët e thjeshtë. Punëtorët që bëjnë punë të nënvlerësuar për pak para, jetojnë në një rreze të vogël dhe nuk kanë parë asgjë nga bota. Në skajin tjetër të shkallës janë përfituesit, ata që duan të rrisin fitimin e tyre, biznesmenët e mëdhenj dhe kllounët politikë – pra, të gjithë ata që përcaktojnë fatin e Shqipërisë dhe përfitojnë drejtpërdrejt e tërthorazi prej saj. Midis këtyre dy poleve jeton shtresa e mesme, e cila do të donte stabilitet dhe perspektivë për të ardhmen, por që për vite me radhë nuk ka parë ndonjë përmirësim të madh. Pjesa e katërt është ajo që është larguar nga vendi, janë fëmijët diku larg, për të cilët prindërit që qëndruan, tregojnë se punojnë në një piceri në Berlin, në ndërtim në Londër, apo diku në fushën e marketingut dhe menaxhimit. Janë edhe ata që studiojnë jashtë, por që nuk kthehen më, pasi nuk shohin ndonjë mundësi të arsyeshme në Shqipëri, ku nuk vlerësohen apo paguhen sa duhet.
Ndërkohë, ne turistët vijmë në Shqipëri sepse shijojmë diçka që 70 deri në 80 përqind e shqiptarëve nuk e kanë: kohën e lirë dhe paratë. Ne jemi në lëvizje, udhëtojmë, shëtisim nëpër fshatra të panjohur, mahnitemi nga ky vend dhe largohemi sërish. Duhet vërtet ta konsiderojmë veten me fat që njerëzit këtu na japin një mbështetje kaq miqësore, nuk na i vënë re të metat, por thjesht na pranojnë me kërshëri për atë që jemi; fundja disa budallenj të paditur, të dashur e ndonjëherë edhe disi të lodhshëm.
Arsyeja 111
Sepse do të jenë pulëbardhat që do të ndalojnë shqiponjat: Pulëbardha të bardha në një sfond blu
Gushti ishte mjaft i nxehtë, domatet fillimisht u zbërdhulën nga rrezet e diellit e më pas ranë nga rëndesa e tyre. Aktivitetet pranë tavernës së Gjergjit u bënë gjithnjë e më të pakta, u copëtuan si një stof I vjetër pëlhure. Dukej sikur gjithçka kish ndalur, sikur kishte një lloj paralize, madje edhe deti ishte i qetë dhe i patrazuar.
Kishte shumë turistë. Të gjitha tryezat ishin të zëna në kohën e drekës. Vende parkimi nuk kishte. Gjithçka ishte me shumicë: dielli, porositë, birra, rakia. Mbizotëronte një lloj ngarkese kolektive. Nuk ishte çudi, në fakt. Të gjithë kishin kaluar disa muaj në plazh; rrinin nga mëngjesi në darkë në këmbë dhe minutat e pushimit i mbushnin me facebook dhe youtube. Nuk kishin asgjë dhe askënd tjetër, veç vetes.
Të gjithë po punonin drejt fundit të sezonit të plazhit që do të sillte shtatori.
Po ti vetë? Çfarë po bën ti? A je pjesë e shterimit të vapës që po afrohet apo mund t’ia dalësh një shpërthimi të dytë, një fillimi të ri? Pse nuk bën edhe ti të njëjtën gjë si turistët nga Europa Perëndimore, të cilët mezi presin të ndryshojnë vend, të shkojnë sa andej–këtej? Çfarë ke humbur këtu? A mendon se do të largohesh ndonjëherë? Çfarë pret? Që të përfundosh dorëshkrimin? Nuk mund ta bësh këtë, shumë më lehtë diku tjetër?
Qëndron ulur nën flladin e ngrohtë mbrëmësor dhe kundron perëndimin e diellit, teksa horizonti merr flakë e mandej dalëngadalë deti ngjyrohet në të purpurt.
Natën dëgjon bulkthat, ditën gjinkallat. Sa botë e bukur! – mendon dhe pyet veten: Çfarë të kemi bërë? Mos vallë të kemi ngrënë dhe tani, gjithçka që ka mbetur prej teje, është kërcelli dhe farat; apo siç i thonë ata në atdheun tend, foleza e bërthamave?
Gjithçka ka mbaruar, gjithashtu dhe ti!
Mandej, befas të vjen në duar një sëpatë nga fqinji yt, Erioni, një ditë fundgushti, teksa ti po zbret poshtë drejt plazhit. Dy gjëra kërkon prej teje: njëra, të presësh dru, të pastrosh ullishtet tutjeposhtë. Kjo do të shihet me sy të mirë, thotë ai, dhe s’i bën dëm kujt. Sa herë që ngjitesh për lart, duhet të marrësh në krah një copë dru, për t’u përgatitur për dimrin. E dyta, të duhet të bëhesh shkrimtar “i fortë”, si ata të parët. Druprerja do të të forcojë krahun, thotë Erioni, dhe një krah i fortë do të të bëjë shkrimtar të fortë… Meqë qenka kështu, shko të presësh dru, s’ke ç’bën tjetër! Ti e di që këtu do të qëndrosh.
Përveç kësaj, Erioni ishte edhe ideatori i pamjes së dy pulëbardhave që ngrihen mbi sfondin blu. Këto janë shenjat dalluese të “Republikës së Pulëbardhave”, thotë ai, e cila u themelua për t’u bërë ballë shqiponjave. Ndodhi që edhe pjesa tjetër e pëlqeu këtë simbol, ndaj dhe e vendosën thuajse në çdo shtëpi të pjesës së vjetër të Lukovës. Kësisoj, shqiponjat, kur të zbrisnin nga malet ose nga rruga kombëtare, do të vërenin se ky nuk ishte më territori i tyre. Ato do të kërkonin falje për ndërhyrjen dhe do të thonin: oh, nëse është kështu, atëherë ne nuk mund të zaptojmë asnjë tokë këtu, nuk mund të shtrojmë asgjë me asfalt dhe nuk mund të ndërtojmë hotele në bregdet!
Sepse, aty shtrihet toka e pulëbardhave. Atje, deti i mëndafshtë lodron me ranishtën dhe shkëmbinjtë. Atje, Gjergji drejton varkën e tij drejt gumës dhe Tëmja sillet përqark mbi mushkë.